Rreth orës 18.30 në sallën operative të Komisariatit të Policisë Bulqizë ka ardhur një telefonatë se në fshatin Peladhi-Bulqizë janë dëgjuar të shtëna armësh.
Menjëherë janë nisur drejt vendit të ngjarjes forca të shumta policore dhe grupi hetimor, ku kanë konstatuar se në rrugën që lidh fshatin Godvi me fshatin Peladhi, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit Land Rover me targa AA 489 RA, që drejtohej nga shtetasi F.T, 29 vjeç, banues në fshatin Peladhi.
Drejtuesi i automjetit nuk ka ndaluar, por është larguar nga rruga që lidh fshatin Godvi me fshatin Peladhi, rreth 500 metra nga vendi i ngjarjes e më pas ka lënë automjetin në anë të rrugës dhe ka njoftuar Policinë.
Nga të shtënat drejtuesi i automjetit nuk ka marrë asnjë lëndim. Drejtuesi i automjetit lëvizte i vetëm me automjet.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar disa gëzhoja. Nga këqyrja paraprake e automjetit janë dalluar dy shenja plumbi.
Forca të shumta policore të mbështetura dhe nga forcat e policisë së Drejtorisë Vendore Dibër, kanë ngritur pika të shumta kontrolli, po krehin zonën për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Policia thotë se në lidhje me këtë ngjarje po hetohet intensivisht, pasi personi i dëmtuar mbart rekorde të theksuara kriminale dhe penale.
Top Channel