Diamanti i Paqes, shitet shumë më lirë

05/12/2017 22:50

Një nga diamantët më të mëdhenj në botë është shitur për 6.5 milionë dollarë. Guri, ishte quajtur Diamanti i Paqes, pasi pjesa më e madhe e parave do të shkonin për të ndihmuar fshatin në Sierra Leone ku ishte gjetur.

Në dekadat e shkuara, tregtia e paligjshme e diamanteve të gjakut ishte shfrytëzuar për të ndihmuar financimin e luftës civile shkatërrimtare në vend, por edhe konfliktet e tjera afrikane. Në vend që t’ia shisnin Diamantin e Paqes trafikantëve, fshatarët e vunë atë në vëmendjen e qeverisë kombëtare, e cila edhe organizoi nxjerrjen e tij në ankand.

Një nga kompanitë më të mëdha të diamanteve në botë, Laurence Graff, paraqiti ofertën fituese në New York. Diamanti i Paqes, u zbulua në fshatin Koryardu, në Sierra Leonen lindore. Çmimi përfundimtar është një shumë e konsiderueshme, por sidoqoftë nuk ka arritur atje ku qeveria e Sierra Leones shpresonte për gurin 709 karatësh.

Në maj, qeveria refuzoi një ofertë prej 7.8 milionë dollarësh në një ankand në Sierra Leone, duke thënë se mund të kishte një vlerë më të ndershme tregu për diamantet e saj, diku tjetër. Guri është diamanti i tretë më i madh i gjetur në historinë e vendit dhe i 14 më i madh i zbuluar ndonjëherë në botë.

Në të shkuarën, diamante me përmasa të ngjashme, janë shitur pothuajse 10 herë më shtrenjtë. Pavarësisht zhgënjimit me shumën e arritur, Diamanti i Paqes mbetet shembull i asaj që mund të ndodhë nëse njerëzit që kërkojnë gurë të çmuar i shesin ata përmes kanaleve zyrtare.

Më shumë se gjysma e parave do të shkojnë për financime qeveritare në infrastrukturë etj. Çereku për personat që e gjetën atë dhe pjesa e mbetur për një program qeveritar të quajtur fondi i zhvillimit të komunitetit të zonës së diamanteve.

Top Channel