Vetëm dy ditë më parë, ish-kampioni i botës në Formulën 1, Nico Rosberg lëshoi një lajm të bujshëm, sipas të cilit Lewis Hamilton po mendon seriozisht tërheqjen nga garimi.

Ndërsa sot, ka qenë vet Lewis Hamilton që ka pranuar betejën me këtë dilemë personale mbi të ardhmen e tij në Formulën 1, kjo sepse ai dëshiron të vazhdojë të garojë, por njëkohësisht kërkon edhe të mos humbasë eksperienca të tjera në jetë.

Kontrata e kampionit më të ri të botës me Mercedesin skadon në fund të sezonit të ardhshëm dhe pritet që në javët e ardhshme të nisin diskutimet për një kontratë të re dyvjeçare.

Edhe pse Hamilton dhe Mercedesi pritet që të bien dakord me kushtet kontraktuale, britaniku vet ka rrëfyer se një pjesë e tij dëshiron të nisë eksplorimin e mundësive të reja në jetë, përtej garave të Formulës 1.

“Është diçka si puna e motit, apo përpjekja për të gjetur një balancë të mundshme”, tha Hamilton gjatë një interviste me disa medie të përzgjedhura, përfshi këtu “Autosport”, në lidhje me mendimet që i kanë pushtuar trurin mbi të ardhmen e tij.

“Aktualisht kam edhe një vit kontratë me skuderinë time dhe dua të vazhdoj. Por, për momentin ndodhem në momentin kur ka lindur edhe kjo pikëpyetje e madhe. Sigurisht që nëse tërhiqesh nuk mund të kthehesh më mbrapsht në F1. Nëse do të ndodhë vitin e ardhshëm apo pas 5 vitesh, pak rëndësi ka. Çfarëdo që të ndodhë, do ta humbas përherë këtë sport kur të tërhiqem. Ekziston edhe shprehja: qëndro për sa kohë që mundesh. Në fakt nuk jam i bindur tërësisht për këtë, por kam ende një jetë të gjatë që do të pasojë. Ka shumë gjëra të cilat i kam humbur në jetën time. Një ditë më parë kam folur me mikun tim më të ngushtë në lidhje me gjërat që do të synoj në të ardhmen, si jetesa në një vend të caktuar, apo rutina e përditshme, që përfshin palestrën, apo edhe jeta ime e natës me miqtë e familja ime. Çdo vit që unë qëndroj në këtë sport, kam shtyrë shumë gjëra të tjera. Por nga mosha 40-vjeçare e më tej ka shumë kohë për t’ia dedikuar këtyre gjërave që më kanë munguar”, ka rrëfyer Hamilton.

Ajo që ka ndikuar në këtë dilemë të britanikut nuk është gjë tjetër veçse vdekja e një personi shumë të dashur familjar.

“Tezja ime humbi jetën nga kanceri dhe ditën e fundit të jetës së saj tha se ‘kishte punuar çdo ditë me planin për t’i dhënë fund gjërave që bënte, për t’iu dedikuar atyre që nuk mundej të bënte, por koha iku shumë shpejt për të’. Kështu që i njëjti mendim më ka kapluar edhe trurin tim”, shtoi ai.

Top Channel