F1, Raikkonen teston gomat e reja hypersoft

28/11/2017 17:34

Nën kushte optimale, me diell, temperatura të larta dhe në puhi të lehtë ere, janë provuar për herë të parë gomat e reja të prodhuara nga Pirelli për sezonin e vitit të ardhshëm të Formulës 1.

Thuajse të gjithë pilotët kanë zbritur në pistë për testet e para në Abu Dhabi, deri në perëndim të diellit, e disa prej tyre kanë tejkaluar edhe numrin e xhirove të përfunduara nga sa ishte parashikuar.

Në përgjithësi, opionionet për produktet e reja kanë qenë pozitive, edhe pse me disa detaje të vogla për t’u rishikuar, por krahasimi i tyre është bërë duke provuar edhe gomat e përdorura gjatë sezonit që sapo u mbyll.

“Nuk pashë diferenca të tejskajshme”, ka nënvizuar Kimi Raikkonen, i cili ishte piloti më i shpejtë i ditës së sotme dhe i vetmi që zbriti nën kohën e 1 minutë e 38 sekonda, duke regjistruar kohën 1’37’’668. Por këtu vlen të theksohet se, 3 ditë më parë, Bottas kishte siguruar “pole position”-in falë kohës 1’36’’231.

“Po, i provova edhe gomat hypersoft, e sigurisht që kanë një kontakt më të mirë me asfaltin, duke i bërë makinat më të shpejta. Por, me makinat e reja të sezonit të ardhshëm do të nisë gjithçka nga zero”, tha më tej finlandezi i Ferrarit, i shoqëruar në këto prova nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij.

Sa u përket kohëve të regjistruara:

1. Raikkonen (Ferrari) 1’37”768 (99 xhiro);
2. Ricciardo (Red Bull) 1’38”066 (109);
3. Hamilton (Mercedes) 1’38”551 (136);
4. Grosjean (Haas) 1’39”270 (137);
5. Stroll (Williams) 1’39”580 (29);
6. Alonso (McLaren) 1’39”762 (115);
7. Hulkenberg (Renault) 1’39”803 (85);
8. Mazepin (Force India) 1’39”762 (115);
9. Kubica (Williams) 1’41”296 (100);
10. Gelael (Toro Rosso) 1’41”428 (117);
11. Ericsson (Sauber) 1’41”681 (97);
12. Turvey (McLaren) 1’41”914 (105).

Top Channel