Silvio Berlusconi! Jo më kot ishte padroni i Milanit të madh që e mori nga “humnera” për ta kthyer në ekipin më të titulluar në botë. E jo më kot kritikonte edhe një trajner të madh e të suksesshëm si Carlo Ancelotti, sa i përket modulit të lojës.
Ish-presidenti i kuqezinjve kërkonte me ngulm të luajturit me dy sulmues që prej vitit 2004, pas fitores së derbit me Interin, 3-2 me përmbysje, sepse siç e thoshte ai, “dy sulmuesit” ishin në ADN-në e Milanit.
Një gjë e tillë u pa edhe mbrëmjen e djeshme në “San Siro”. Pas disa muajsh, Milani dha sinjalet e para të ngritjes së nivelit të lojës, edhe pse nuk duhet nënvlerësuar niveli i kundërshtarit austriak. Por skuadra e Montellës dje krijoi siç nuk kishte krijuar kurrë më parë në këtë sezon.
Çështja e dy sulmuesve ka qenë pjesë e debateve edhe sezonin e kaluar, sërish me Montellën, por asokohe me Milanin nën drejtimin e “kavaljerit”. Faktet, sot duket se i kanë dhënë më shumë se kurrë të drejtë ish-padronit kuqezi.
Andre Silva dhe Cutrone u morën vesh shumë mirë me njëri-tjetrin dhe aksionet e rrezikshme u shumëfishuan. Me praninë në zonën e rreptësisë të dy sulmuesve, krosimet nga krahët falë Borinit dhe Rodriguez nuk shkuan dëm. Loja nga krahët dha më në fund frytet e saj dhe bindshëm madje.
Tashmë “aeroplani” (siç njihet ndryshe Montella për shkak të festimeve të golave kur ishte futbollist), duhet të reflektojë për rrugën që do të ndërmarrë në të ardhmen, edhe pse këtu vihet në dyshim pozicioni i spanjollit Suso. Ky i fundit vërtet është ndër më të mirët në fushë, por duke luajtur si sulmues i tërhequr me Kaliniç më të avancuar, ai ndihet si i kufizuar.
Montella ndoshta mund ta spostojë si mesfushor mes mesit të fushës dhe krahëve, ose të ndryshojë modulin e lojës, por këtë vendim duhet ta marrë sa më shpejt për të shtuar peshën e sulmit kuqezi. Portugezi dhe italiani i dalë nga akademia janë të rinj dhe të etur për gola, ndërkohë që Kaliniç ka hasur më shumë vështirësi nga sa parashikohej.
Top Channel