Prej vitesh një prej lagjeve më të pakalueshme të Tiranës, për shkak të mungesës infrastrukturore, ujërave, pluhurave dhe baltës. Sot lagjja në krah të Kopshtit Zoologjik ka një pamje krejt tjetër, pa asnjë dallim nga qendra e kryeqytetit.
“Në fillim të vjeshtës ishim këtu dhe e gjithë zona e Kopshtit Zoologjik, në fakt nuk merrej vesh nëse jetohej më mirë brenda Kopshtit Zoologjik apo jashtë tij, sepse situata i ngjante realisht një prej atyre episodeve ‘vende dhe popuj’, ku prania në kodrat e liqenit presupozonte luks, ndërkohë që balta ishte deri në fyt. Sot është një gjendje krejt tjetër. Një punë e bërë në kohë rekord, por gjithashtu edhe në mënyrë cilësore”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj.
Por, një rol të rëndësishëm për Veliajn kanë vet banorët e zonës.
“Kjo është pjesë e një projekti për të rehabilituar 200 rrugë, ne do ta vazhdojmë edhe për të kapur lagjen e fundit të Kopshtit Zoologjik, që është shumë afër majës së kodrës dhe për t’u siguruar se, ndodhi ç’ndodhi me ish-komunën Farkë, Bashkia e re e Tiranës, që ka edhe Farkën brenda, të mos bëjë diferencime. Ne po punojmë nga ekstremi i Liqenit të Farkës e deri në ekstremin tjetër, që është në fakt kufiri mes Farkës dhe Selitës e Kombinatit”, tha më tej Erion Veliaj.
Me miratimin e projektbuxhetit për vitin 2018, kryebashkiaku i Tiranës ka edhe plane të tjera për zonën te Kopshti Zoologjik.
“Fillimisht do të bashkojmë Kopshtin Zoologjik me Kopshtin Botanik përmes një kalimi. Kemi bërë disa riparime, Kopshti Zoologjik është më mirë sot për fëmijët, ka një pafundësi aktivitetesh, por imagjinoni sa i madh është potenciali, në momentin që ne bëjmë edhe shtesën me Kopshtin Botanik”, deklaroi Veliaj.
Top Channel