Grupi Parlamentar socialist u mblodh për të diskutuar buxhetin 2018, të cilin Kryeministri e quajti hapi i parë drejt ndërtimit të Shqipërisë që duam.

Edi Rama thotë se buxheti ka një bazë themelore dhe tepër të rëndësishme.

“Ky projekt, ky buxhet bazohet ekskluzivisht tek të ardhurat e brendshme, që është baza themelore që u jep forcë reformave që do të thellojmë me më vendosmëri dhe kurajo, pa fryrje artificiale nga borxhi i jashtëm”, u shpreh ai.

Kryeministri thotë se buxheti investon tek forcimi i mëtejshëm i shtetit, rritja e punësimit, mirëqënies dhe të ardhurat në buxhet.

“Ka brenda vetes paketën më të madhe të investimeve publike të realizuara ndonjëherë, 86.1 miliardë, ose më shumë se 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar”, tha Rama.

Kryeministri e quajti të paprecedentë një nivel të tillë investimesh, ndërkohë që sipas tij, borxhi do të vazhdojë të ulet.

“Pjesën e luanit e ka infrastruktura rrugore, por nga ana tjetër ka financime në rritje në krahasim me të shkuarën edhe në ujësjellësa”, deklaroi Rama.

Top Channel