Masakroi gazetarin në Itali, arrestohet vëllai i kapos së mafias

10/11/2017 14:57

Policia italiane vuri në pranga vëllain e një mafiozi të burgosur, i cili sulmoi dhunshëm një gazetar duke tronditur mbarë vendin.

Roberto Spada e goditi me kokë në fytyrë reporterin e “Rai”-t e i theu hundën, pastaj ndoqi edhe pjesën tjetër të ekipit televiziv, duke i kërcënuar me shkop. Përgjatë të gjithë incidentit të ndodhur në Ostia, kameramani vazhdoi të xhironte.

Akuzat që rëndojnë tani mbi Spadën janë ato të lëndimeve të rënda trupore me “metoda mafioze”. Vëllai i tij Carmine po kryen një dënim prej 10 vitesh heqje lirie, për grabitje dhe lidhje me mafian.

Gazetari Daniele Piervincenzi i ishte afruar të riut, ndërsa ky po hynte në palestër, me qëllimin t’i merrte një intervistë, por ai pas një bisede shumë të shkurtër u nxeh e kaloi në sulm.

Piervincenzi kërkonte të dinte nëse familja e tij kishte mbështetur “CasaPound”, një grup i djathtë ekstrem, kur Spada u lëshua mbi të. Edhe pse gazetari i thirri duke i thënë që i kishte thyer hundën, ai vazhdoi ta ndiqte e godiste me shkop.

Përmes një mesazhi në “Twitter”, kryetarja e Bashkisë së Romës, Virginia Raggi e quajti të papranueshme dhunën e klanit “Spada” dhe planifikon të zhvillojë të shtunën në Ostia një tubim kundër dhunës.

“CasaPound” fitoi 9% të votave atje në zgjedhjet lokale të së dielës. Dy vite më parë, i gjithë Këshilli Bashkiak i Ostias u shpërbë, sepse ishte infiltruar tërësisht nga mafia.

Top Channel