Sekretari për Tregtinë: Asgjë e dyshimtë në biznesin tim me rusët

06/11/2017 17:14

Sekretari për Tregtinë i presidentit amerikan Donald Trump thotë se nuk ka asgjë të papërshtatshme në lidhjet e tij të biznesit me figura ruse, që janë aktualisht nën sanksionet e SHBA.

Wilbur Ross u akuzua se kishte keqorientuar senatorët, pasi dokumente nga seria e atyre që janë quajtur “Paradise Papers” treguan për interesat e tij në një kompani, në të cilën disa aksionistë kishin lidhje me Kremlinin.

Ai i tha BBC-së se Shtetet e Bashkuara nuk kishin vendosur sanksione mbi kompaninë “Sibur”, ndaj nuk ka asgjë të gabuar në aktivitetin e tij.

“Kompania që është klientja jonë, ‘Sibur’ nuk është sanksionuar, as tani dhe asnjëherë më parë. Ndaj nuk ka asgjë të gabuar në marrëdhënien me Sibur”, tha Wilbur Ross, Sekretar amerikan për Tregtinë.

Sipas dokumenteve, Ross ka investime në një kompani transporti që fiton miliona në vit, duke transportuar naftë dhe gaz për llogari të “Sibur”.

Dy aksionerë kryesorë të kësaj kompanie janë subjekt sanksionesh nga SHBA. Një tjetër aksioner i rëndësishëm i “Sibur” është dhëndrri i presidentit Vladimir Putin. Ai vet nuk është subjekt sanksionesh, por babai i tij po.

Ross tha se ia ka prezantuar lidhjet e biznesit Zyrës për Etikën Qeveritare dhe mohoi të ketë keqorientuar Komitetin dëgjimor që e konfirmoi atë në detyrë.

“Fakti që Sibur është një kompani ruse, kjo nuk do të thotë se në të ka diçka djallëzore”, tha Wilbur Ross.

Pavarësisht deklaratave të Ross, tani ngrihen shumë pikëpyetje për konfliktin e mundshëm të interesit dhe nëse lidhjet e tij dëmtojnë sanksionet amerikane mbi Rusinë. Dokumentet e zbuluara së fundmi vijnë ndërkohë që këshilltari special, Robert Mueller po vazhdon hetimin mbi lidhjet ruse me fushatën e Donald Trump.

Top Channel