Humb jetën në aksident ajror princi saudit. Vijim i luftës për pushtet?

06/11/2017 18:09

Një princ i vjetër saudit dhe 7 zyrtarë kanë humbur jetën për shkak të rrëzimit të një helikopteri në afërsi të kufirit me Jemenin. Lajmin e bëjnë të ditur mediat shtetërore arabe.

Princi Mansour bin Muqrin, nënguvernator i provincës së Asirit, po kthehej nga një tur inspektimesh kur helikopteri është rrëzuar në afërsi të lokalitetit Abha.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Ministria e Brendshme saudite, e cila nuk ka dhënë ende shkaqet e rrëzimit të mjetit. Sidoqoftë, ngjarja vjen pak pas valës së arrestimeve të lidershipit politik dhe atij financiar të vendit.

Një strukturë anti-korrupsion e drejtuar nga princi i kurorës Mohammed bin Salman, 32 vjeç, urdhëroi burgosjen e disa dhjetëra personave, mes të cilëve 11 princër, 4 ministra dhe shumë ish-ministra.

Analistët e shohin këtë lëvizje të paprecedentë si një përpjekje për të çimentuar pushtetin nga trashëgimtari i fronit.

Princi Mansour ishte i biri i princit Muqrin bin Abdulaziz, një ish-shef i shërbimeve të inteligjencës që ishte dhe princi i kurorës në periudhën mes janarit dhe prillit 2015, kur u spostua nga babai i princit Mohammed, Mbreti Salman, aktualisht 81 vjeç.

Mansour shërbeu si këshilltar i oborrit mbretëror të të atit dhe në prill 2017 ishte mes 8 anëtarëve të familjes mbretërore që u caktuan nënguvernatorë.

Top Channel