Borxhi që bizneset kanë ndaj shtetit arriti në 900 milionë euro në fund të shtatorit të këtij viti. Shifra është bërë publike nga një raport, që Ministria e Financave i ka dërguar Komisionit parlamentar të Ekonomisë.

Sipas raportit, këto detyrime janë taksa të papaguara nga bizneset, përfshirë kamatëvonesat dhe gjobat që vendosen mbi to. Të dhënat tregojnë se, aktualisht ka me mijëra biznese që janë debitore në shtet. Por, “pjesën e luanit” të borxhit e kanë një grusht kompanish.

Sipas Financave, nga shuma prej 900 milionë eurosh, 1/3-ta ose 305 milionë euro janë borxhe që i kanë vetëm 10 kompani. Dy ndër to janë shtetërore, ndërsa pjesa tjetër janë kompani private që vijnë kryesisht nga fusha e prodhimit apo tregtimit të karburanteve, si dhe ajo e lojërave të fatit.

Borxhi i bizneseve ndaj shtetit arriti rekordin historik prej 1.1 miliardë eurosh në fund të vitit të kaluar. Por, në verën e këtij viti, Parlamenti miratoi një amnisti të përgjithshme, e cila fal plotësisht borxhet para vitit 2010 dhe pjesërisht ato të periudhës 2011-2014.

Sipas raportit të Ministrisë së Financave, deri tani janë falur rreth 200 milionë euro borxhe dhe përfituesit më të mëdhenj nga falja kanë qenë pikërisht kompanitë me borxhet më të mëdha.

Top Channel