Trump zotohet: Godasim 10 herë më ashpër Shtetin Islamik

03/11/2017 21:53

Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta godasin Shtetin Islamik “10 herë më rëndë”, në shenjë hakmarrjeje për sulmin me kamionçinë në Nju Jork, natën e “Halloween”-it.

“Çdo herë që ata na godasin, dhe ne e dimë se është ISIS, ne do t’i godasim ata ashtu siç ju nuk mund ta besoni”, tha Trump përpara reporterëve në një dalje nga Shtëpia e Bardhë.

Ushtria amerikane, gjithsesi nuk ka treguar ndonjë ndryshim madhor në sulmet kundër bastioneve të militantëve xhihadistë. Shteti Islamik mori përgjegjësinë për masakrën në Manhattan.

“Ajo që po bëjmë është se, çdo herë që ne sulmohemi nga ky moment e në vijim, siç ndodhi më 31 tetor, ne do t’i godasim ata 10 herë më rëndë”, tha Trump këtë të premte, përpara se të nisej në një tur 12-ditor në 5 shtete të ndryshme aziatike.

“Sa herë që një kafshë kryen një sulm, siç bëri ai më 31 tetor në perëndim të Manhattanit, ne do të kundërpërgjigjemi 10 herë më ashpër”, përsëriti sërish kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Të premten, Pentagoni njoftoi se ka kryer dy sulme ajrore kundër militantëve të ISIS në verilindje të Somalisë, “duke vrarë disa terroristë”.

Një deklaratë e lëshuar nga Komanda amerikane në Afrikë nuk përmend nëse sulmet janë si kundërpërgjigje e sulmit në Nju Jork, që siç dihet u krye nga një emigrant nga Uzbekistani.

Pretendimi i Trumpit është vështirë të verifikohet në mënyrë të pavarur, por shifrat e përditshme të publikuara nga Komanda Qendrore amerikane, që mbikëqyr misionin kundër Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, nuk tregojnë ndonjë ndryshim drastik që prej sulmit të 31 tetorit.

Sipas Komandës Qendrore, 13 sulme ajrore janë ndërmarrë kundër ISIS në atë datë, po aq sa janë kryer edhe të enjten, dy ditë pas sulmit. Megjithatë, deklarata e Komandës Qendrore nuk tregon numrin apo intensitetin e bombave të përdorura, apo mënyrën sesi janë lëshuar këto sulme.

ISIS ka humbur në vijimësi territore në Irak dhe Siri gjatë muajve të fundit. Sipas televizionit shtetëror sirian, ISIS ka humbur edhe bastionin e fundit në Deir al-Zour, një qytet pranë kufirit me Irakut, që e ka mbajtur që prej vitit 2014.

Top Channel