Spanja, urdhërarreste europiane për Puigdemont & Co

03/11/2017 21:26

Një gjykatë spanjolle ka lëshuar një mandatarresti europian (EAW) për udhëheqësin e shkarkuar të Katalonjës, Carles Puigdemont, si dhe 4 prej aleatëve të tij që udhëtuan me të në Belgjikë.

Të pestë ish-zyrtarët nuk u paraqitën në Gjykatën e Lartë të Madridit ditën e enjte, kur 9 ish-pjesëtarë të tjerë të qeverisë rajonale u njohën me akuzat dhe u arrestuan. Njëri prej të arrestuarve është liruar më pas me kusht, duke paguar edhe një shumë prej 50 mijë eurosh.

Të gjithë të pandehurit përballen me akuzat për rebelim, kryengritje dhe shpërdorim të fondeve publike në synimin e tyre për të çuar deri në fund procesin e pavarësisë së Katalonjës.

Puigdemont ka thënë se nuk do të rikthehet në Spanjë pa marrë garanci për një gjykim të drejtë.

“Belgjika do ta ‘studiojë’ mandatarrestin”, tha një zëdhënës i kryeprokurorit belg për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Parlamenti rajonal i Katalonjës votoi për mëvetësinë një javë më parë, pas referendumit të konsideruar të paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese spanjolle, të organizuar nga qeveria katalanase më 1 tetor. Asnjë shtet nuk e njohur pavarësinë e rajonit verilindor të Spanjës, ndaj dhe qeveria e Madridit nisi menjëherë me vendosjen e kontrollin të drejtpërdrejtë të saj, duke përdorur pushtet emergjent sipas Kushtetutës.

Puigdemont ishte president i rajonit autonom të Katalonjës deri në shpalljen e pavarësisë, e vijon ta quajë veten e tij si president i “Republikës së vetëshpallur të Katalonjës”. Por, ai dhe kolegët e tij u arratisën drejt Belgjikës për ta ngritur çështjen e “shtetit” të ri në institucionet e BE-së, teksa këmbëngul se nuk po përpiqet t’i bëjë bisht “drejtësisë reale”.

Në një intervistë për televizionin belg, të transmetuar këtë të premte, ai tha se do të bashkëpunojë me autoritetet e drejtësisë belge. E veç kësaj, ai shtoi se është gati të rikandidojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme rajonale në Katalonjë, që do të mbahen muajin e ardhshëm.

Mandatarreste ndërkombëtare janë lëshuar edhe për Meritxell Serret, ish-ministër i Agrikulturës; Antoni Comín, ish-ministër i Shëndetësisë; Lluís Puig, ish-ministër i Kulturës; si dhe Clara Ponsatí, ish-ministre e Edukimit.

Urdhërarrestet janë dërguar te prokurorët belgë, të cilët do të vendosin brenda 24 orësh nëse dokumentet dhe argumentet janë korrekte. Nëse po, ata kanë 15 ditë kohë për ta arrestuar Puigdemontin dhe kolegët e tij. E nëse ata apelojnë vendimin, procesi do të zgjasë edhe 15 ditë të tjera. Belgjika lejon një periudhë prej maksimumi 60 ditë për të rikthyer të dyshuarit në Spanjë pas arrestimit, por nëse katalanasit nuk do të kundërshtojnë ligjërisht arrestimin, ekstradimi do të ndodhte brenda pak ditësh. Megjithatë, një vend europian mund të refuzojë mandatarrestet europiane, nëse dyshon se përmes ekstradimit do t’i shkelen të drejtat e njeriut të dyshuarve.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel