Era e pavarësisë duket se ka kaluar kufijtë e Europës dhe po fryn edhe në Paqësor. Territori francez i Kaledonisë së Re do të zhvillojë një referendum për vetëqeverisjen, sipas një marrëveshjeje me qeverinë franceze.

Udhëheqësit e arkipelagut, që gjendet në lindje të Australisë, zhvilluan bisedime më ministrat francezë në Paris, ku ranë dakord për këtë marrëveshje politike, që padyshim i hap rrugën pavarësisë.

Kaledonia e Re ka rreth 275 mijë banorë dhe afati i fundit për t’iu mundësuar atyre votimin në referendum është nëntori i vitit të ardhshëm.

Në vitet 1980, banorët lokalë u përplasën me forcat franceze për vetëqeverisjen e kërkuar dhe kjo përballje solli me kalimin e viteve marrëveshjen e “Nouméa”-s në vitin 1998.

Marrëveshja që mban emrin e kryeqytetit të Kaledonisë së Re parashikoi largimin gradual të kolonizatorëve francezë dhe referendumin e vitit 2018.

Pyetjet që do t’u paraqiten votuesve të Kaledonisë së Re në referendum nuk janë hartuar ende, por ekspertët thonë se, nëse shumica voton për pavarësinë, kështu do të ndodhë.

Megjithatë, duhet theksuar se nacionalizmi francez mes banorëve europianë të ishujve është mjaft i lartë. Në zgjedhjet presidenciale të Francës, pak muaj më parë, Marine Le Pen e ekstremit të djathtë mori thuasje tri herë më shumë vota sesa Emmanuel Macron.

Top Channel