Trump emëron Powell në krye të Rezervës Federale

02/11/2017 22:35

Donald Trump emëroi Jerome Powell si kreun e ri të Rezervës Federale, Banka Qendrore më e fuqishme në botë.

Një miliarder republikan, Powell është aktualisht pjesëtar i bordit të bankës, ku është emëruar në vitin 2012.

Emri i tij përflitej si zgjedhja më e mundur prej më shumë se një javë. Analistët vlerësojnë se, me shumë gjasa, ai do të ruajë politikat aktuale të Rezervës Federale të rritjes graduale të normave të interesit.

Numri një i Uashingtonit tha se Powell, i njohur si Jay, gëzonte respektin e të dyja partive dhe kërkoi konfirmimin e tij të menjëhershëm në Senat.

“Besoj se Jay ka mençurinë dhe lidershipin për të udhëhequr ekonominë tonë përmes sfidave të ndryshme”, ishin fjalët e Trump.

Presidenti intervistoi 5 kandidatë për rolin, përfshirë shefen aktuale Janet Yellen, mandati i së cilës përfundon në muajin shkurt.

Top Channel