Kreu i Mianmarit viziton krahinën e trazuar

02/11/2017 13:34

Lideri de fakto i Mianmarit Aung San Suu Kyi vizitoi Rakinen për herë të parë, pasi në këtë krahinë të vendit shpërtheu dhuna në Gusht. Ajo vizitoi kryeqytetin e krahinës Sittwe dhe disa qytete të tjera si pjesë e nëj vizite nëj ditore të paparalajmëruar.

Suu Kiy është kritikuar ashpër nga komuniteti ndërkombëtar se nuk ndaloi operacionet ushtarake ndaj myslimanevë Rohingija që jetojnë në Rakine, aksion i cilësuar edhe nga OKB si spastrim etnik. Mbi 600 000 rohingija kanë braktisur banesat e tyre dhe kanë kaluar kufirin në Bangladesh që prej 25 gushtit për shkak të dhunës së ushtruar nga ushtria budiste.

Raportohet se qindra njerëz janë vrarë në operacionin ushtarak dhe dhjetëra fshatra të rohingijave janë djegur, por konfirmimi i lajmeve nga terreni është mjaft i vështirë pasi autoritetet në Mianmar nuk lejojnë mediat dhe organizatat humanitare në zonat e prekura. Nuk është i qartë qëllimi i vizitës së Suu Kyi në Rakine, por kohë më parë ajo lajmëroi një plan për t’i dhënë fund dhunës për të zhvilluar këtë krahinë.

Analistët thonë se shfaqja e saj atje është thjesht lojë politike për të qetësuar disi kritikat, pasi ajo dhe qeveria e saj kanë mohuar çdo lajm për spastrim etnik dhe nuk e pranojnë atë që po ndodh. Nuk raportohet që ajo të ketë vizituar zonat ku jetojnë apo jetonin myslimanët rohingija, dicka që e zhvlerëson përpjekjen e saj.

Jo më kot, shumë institucione në botë i kanë hequr titujt e dhënë Aung San Suu Kiy dhe shumë kërkojnë edhe heqjen e çmimit Nobel për paqen që ajo mori për rezistencën që i bëri regjimit të dikurshëm ushtarak.

Top Channel