“Rusia po përdor Serbinë kundër Europës”

01/11/2017 11:42

Rusia po e përdor Serbinë që të shkatërrojë Europën i tha rrjetit investigativ BIRN ambasadori i Ukrainës në Beograd, Oleksandr Aleksandrovych.

Liderët serbë, sipas tij, nuk po bëjnë asgjë për t’i penguar qytetarëve të tyre pjesëmarrjen në luftime në lindje të Ukrainës, ndërsa Moska tenton ta kthejë Serbinë në mashë për betejat e saj gjetkë.

Fati i vullnetarëve serbë të rreshtuar në krah të forcave pro-ruse në Donbas rrëmbeu vëmendjen në fillim të muajit pasi shërbimet ukrainase të sigurisë raportuan se një grup serbësh e boshnjakësh i ishin bashkuar formacioneve paraushtarake ruse.

Sipas Aleksandrovych, rreth 300 serbë po luftojnë aktualisht në Ukrainë. Në 2015-tën, Serbia miratoi një ligj që iua ndalonte shtetasve të saj luftën në beteja jashtë kufijve, por ai ka mbetur vetem në letër vazhdon ambasadori ukrainas, që këmbëngul se Beogradi vazhdon ta injorojë problemin.

Arsyeja sipas diplomatit të lartë, duhet kërkuar tek marrëdhëniet historike ruso-serbe. Ai përmendi po kështu edhe një sërë veprimesh destabilizuese të Moskës në Ballkan. Aleksandrovych thotë se rusët përdorën ekstremistë serbë për organizimin e grushtit të shtetit në Malin e Zi, se po luajnë një rol aktiv për t’i hedhur serbët e Kosovës kundër shqiptarëve, se Moska po i shet Serbisë avionë që të krijoje tensione me Kroacinë dhe se po inkurajon separatizmin serb në republiken Srpska për të destabilizuar Bosnje-Hercegovinën.

Kjo, në këndvështrimin e ambasadorit është edhe arsyeja përse disa zyrtarë të huaj e kanë paralajmëruar Beogradin mbi rreziqet e aleancës së tij të ngushtë me Rusinë.

Nga sa pohon agjencia serbe e lajmeve Tanjug, në 24 tetor tetë shtete të BE-së firmosën një letër ku kërkoheshin veprime kundër propagandës ruse sidomos në Ballkanin Perëndimor, e një dite me parë, shefja e diplomacise europiane Federika Mogherini deklaroi se do t’i jepte kësaj letre një përgjigje.

Top Channel