Shkëmbi ikonik në Australi, ndalohet ngjitja në Uluru

01/11/2017 14:16

Ngjitja në shkëmbin ikonik të Australisë, Uluru, do të ndalohet nga tetori 2019. Bordi i parkut kombëtar “Uluru Kata Tjuta”, votoi në mënyrë unanime për ti dhënë fund ngjitjeve për shkak të çështjeve sensitive indigjene.

Monoliti gjigant me ngjyrë të kuqe në territorin verior është një vend i shenjtë për australianët aborigjenë. Banorët lokalë prej kohësh i kërkojnë vizitorëve të mos ngjiten në majën që njihej prej vitesh si shkëmbi Ajers.

Tabela në fillim të ngjitjes i kërkojnë njerëzve të mos e bëjnë këtë në respekt të ligjit tradicional të populli aborigjen Anangu, që janë edhe gardianë të territoreve.

“Është një vend jashtëzakonisht i rëndësishëm, nuk është një park lodrash si Disneylandi”, tha kryesuesi i bordit Sammy Uillson.

“Nëse unë udhëtoj në një vend tjetër ku ka një vend të shenjtë apo një zonë ku aksesi është i kufizuar, unë nuk ngjitem dhe e respektoj atë”, shtoi ai.

Sipas tij, populli Anangu është ndjerë prej vitesh i bezdisur për ngjitjet mbi shkëmbin që është në të vërtetë një atraksion i madh turistik. Ata kanë kërkuar në vijimësi që ngjitja në zonën e shenjtë të burrave të ndalohet për shkak të domethënies kulturore të tij.

“Ndalimi i ngjitjeve është dicka që pritet të zemërojë ndokënd por është edhe motiv për festime për shumë të tjerë”, tha ai. Unesco e ka përfshirë monolitin në listën e trashëgimive botërore. në 1985 ai i është kthyer në kontroll pronarëve të tij tradicionalë. Më shumë se 250 mijë persona vizitojnë Ulurunë çdo vit, sipas sajtit të internetit të parkut kombëtar.

Top Channel