Puigdemont nuk do t’i përgjigjet urdhrit të gjykatës spanjolle

01/11/2017 19:03

Udhëheqësi i shkarkuar katalanas, Carles Puigdemont nuk do të kthehet në Spanjë për t’iu përgjigjur akuzave të ndryshme, mes të cilave edhe ajo për rebelim.

Avokati belg i Puigdemontit, Paul Bekaert sugjeroi se klienti i tij mund të merret në pyetje në Belgjikë, ku qëndron që prej së hënës.

Ai është thirrur për paraqitje nga një gjykatë në Madrid, bashkë me 13 deputetë. Të gjithë ata përballen me akuza për ndarje dhe shpërdorim të fondeve publike, në kuadër të referendumit për pavarësinë të muajit të kaluar.

Nëse ata nuk paraqiten në gjykatë për t’u marrë në pyetje, prokurorët spanjollë mund të kërkojnë arrestimin e tyre. Avokati i Puigdemontit deklaroi për mediet se, klienti i tij do të presë të shohë sesi do të reagojnë më tej autoritetet spanjolle, para se të kthehet në Spanjë, për shkak të rrezikut të lartë të burgosjes.

Avokati tha gjithashtu se Puigdemont do të luftojë ndaj ekstradimit, nëse kjo do të kërkohej nga qeveria spanjolle. Pas akuzave të rënda nga Spanja, Puigdemont u shfaq befas në Belgjikë, ku tha se nuk do të kërkojë azil politik, por gjendet aty për arsye sigurie dhe për të folur lirisht.

Megjithatë, disa prej ish-zyrtarëve katalanas që udhëtuan me të në Bruksel, tashmë janë kthyer në Barcelonë dhe vetëm Puigdemont mbetet në ekzilin jozyrtar.

Top Channel