Parada e Halloween, Festa në rrugët e Hollywood

01/11/2017 12:15

Ngjarja e rëndë e Nju Jorkut ku vdiqën 8 vetë nuk i ka penguar amerikanët të festojnë, edhe pse sulmi i përshkruar si akt terrorist tregon se rrezikun e kanë shumë pranë.

Parada e Halloween-it u zhvillua në Mahnhatten, sipas planit e në mesin e pjesëmarrësve ishte dhe kryebashkiaku i Nju Jorkut Bill de Blasio dhe guvernatori Andrew Cuomo.

Hareja pushtoi bulevardin Santa Monica në West Hollywood ku në morinë e kostumeve shumëngjyrëshe, njerëzit shkrepnin selfie e kërcenin nën tingujt e muzikës së viteve 80`.

Atmosferën festive e ndezën goxha personat e maskuar si Donald Trump, ‘Michael Jackson’ apo ‘Grim Reaper’, imazhi i vdekjes me kosë në dorë, ndërsa nuk munguan as kllounet e frikshëm. Eventi që tërheq përvit me dhjetëra mijëra persona nga e gjithë Kalifornia, kremtonte këtë radhë 30-vjetorin e tij.

Në frymën e festës hyri edhe kryeministri kanadez Justin Trudeau i cili u shfaq në fillim përpara gazetarëve me një kostum serioz e më pas hapi këmishën duke i treguar se poshtë saj, mbante veshjen e supermenit

Halloween-i, apo festivali i shpirtrave të vdekur e shtrigave, është festa e dytë më e kremtuar në SHBA pas Krishtlindjeve. Emri i saj daton në vitet ‘500 dhe mendohet të jetë një variacion i i “All- Hallows-Even”, nata para të gjithë ditëve të shenjta.

Top Channel