Japoni, i shkatërruar nga “Fukushima”, tashmë shërbim me dronë

01/11/2017 19:19

Dronët kanë nisur të dorëzojnë ushqime te një qytet japonez, i shkatërruar nga katastrofa bërthamore e Fukushimës, ku numri i dyqaneve është shumë i kufizuar.

Banorët u lejuan që të kthehen në Minamisoma, vitin e kaluar, pasi nuk kishte më rrezik nga radioaktiviteti, por sigurimi i ushqimeve atje është i vështirë.

Dorëzimi i ushqimeve me dronë bëhet i mundur nga bashkëpunimi i kompanisë së supermarketeve “Lawson” dhe kolosit të shitjeve në internet “Rakuten”, të cilët thonë se është hera e parë në Japoni që bëhet diçka e tillë.

Zyrtarë të kompanive thanë se shërbimi me dronë ka nisur së pari në zonën Odaka të qytetit Minamisoma, ku ka një numër më të madh të moshuarish.

Qyteti gjendet më pak se 20 km nga centrali bërthamor i Fukushimës, e pavarësisht eliminimit të rrezikut nga radioaktiviteti, bizneset në zonë ende nuk kanë nisur të funksionojnë mirë, duke krijuar mungesën e theksuar të shërbimeve.

Organizatorët e këtij shërbimi thonë se, përmes sistemit “GPS”, dronët shkojnë me shpejtësi në adresën e duhur, nga ku janë porositur ushqimet. Porositë mund të kryhen me telefonon, apo përmes aplikacionit në celular, e me dronë mbërrijnë shumë më shpejt sesa me makinë, pasi infrastruktura në qytet ka ende nevojë për riparime, pas katastrofës së vitit 2011.

Top Channel