Autori i sulmit në SHBA përmes lotarisë amerikane, FBI ngre akuza për terrorizëm

01/11/2017 20:25

Sayfullo Saipov, njeriu i akuzuar për vrasjen e 8 personave në Nju Jork pasi hyri me kamion në një korsi biçikletash, kishte mbërritur në Shtetet e Bashkuara përmes lotarisë amerikane. Sipas autoriteteve, shtetasi uzbekistanas kishte hyrë ligjërisht në tokën amerikane në mars të vitit 2010.

Burime të sigurisë thanë se, ai e kishte planifikuar sulmin prej disa javësh nën frymëzimin e ISIS-it. Zëvendës-komisari i Nju Jorkut, John Miller pohoi se vrasësi kishte ndjekur udhëzimet e Shtetit Islamik, të disponueshme në internet, sesi të realizonte një sulm.

“Bazuar në hetimet e zhvilluara gjatë natës, duket se Saipov e kishte planifikuar sulmin prej disa javësh. Ai e bëri këtë në emër të Shtetit Islamik dhe bashkë me gjërat e tjera që u gjetën në vendin e ngjarjes ishin edhe disa shënime që e sugjerojnë këtë”, tha John Miller , zv.komisar i Nju Jorkut.

Në një prej shënimeve thuhet se “Shteti Islamik” do të rezistojë përgjithmonë. Të mërkurën, policia bastisi banesën e Saipov në Paterson të Nju Xhersit. 29-vjeçari u plagos nga efektivët pasi kreu sulmin në Manhattan, e tashmë gjendet në spital.

I marrë në pyteje nga hetuesit në spitalin ku gjendet i shtruar, pasi u plagos nga policia, 29 vjeçari u shpreh krenar për sulmin dhe i gatshëm për të vrarë sërish.

Autoritetet konfirmuar gjetjen e disa shënimeve në gjuhën arabe, ndër të cilat edhe një ku shkruhej ‘Shteti Islamik do të jetojë përgjithmonë”. Një tjetër detaj që del në dritë nga hetimet dhe që pasqyrohet në mediat amerikane, është se burri nuk ishte i panjohur për forcat e rendit.

Në 2015-ën ai u mor në pyetje nga FBI-ja mbi lidhje të mundshme me terroristë të dyshuar. Ndaj emigrantit uzbek u ngritën akuza për vrasjen e 8 personave dhe sigurimin e materialeve mbështetëse e burimeve për ISIS.

Top Channel