Sulm terrorist në Nju Jork, 8 viktima të shtypur me kamion

31/10/2017 20:47

Të paktën 8 persona kanë vdekur, pasi një kamion u drejtua drejt një zone më çiklistë dhe këmbësorë, në Manhattan të Nju Jorkut. Ngjarja po konsiderohet nga Byroja Federale e Hetimit si një sulm terrrorist, kjo edhe për shkak se agresori ka thirrur “Allahu Akbar” gjatë veprimeve të tij.

Drejtuesi i mjetit besohet se ka qenë duke ecur në drejtim të gabuar, në kundërvajtje në pjesën West Side Highway, ku edhe shtypi për vdekje çiklistët.

Më pas ai ka dalë nga mjeti dhe kërcënoi me një armë në dorë, duke detyruar policët e gjendur aty pranë të nxirrnin armët e tyre dhe të qëllonin. Agresori thuhet të jetë gjallë dhe është arrestuar, por është i plagosur.

Këngëtari Josh Groban shkroi në “Twitter” se kishte dëgjuar të shtëna me armë, teksa shëtiste me qenin e tij. “Oh Zot, sapo dëgjova të shtëna armësh. Nisa menjëherë të vrapoj me qenin tim”, është mesazhi i tij.

CNN citon burime nga Departamenti i Policisë së Nju Jorkut, që thonë se të paktën 8 persona dyshohen të vdekur. Ndërkohë, të paktën një oficer është qëlluar me armë dhe është plagosur lehtë, ndërsa gjendja e të plagosurve të tjerë ende nuk dihet.

Shumë vetë nisën të vraponin për të gjetur vendstrehime të sigurta, teksa shihnin kamionin të ecte në drejtim të këmbësorëve, pasi doli nga rruga.

Policia e Nju Jorkut nuk ka dhënë ende detaje të mëtejshme mbi situatën, por pamjet tmerruese nga vendngjarja, me çiklistë të rrëzuar përtokë dhe biçikletat e copëtuara përreth tyre, kanë përfunduar në rrjetet sociale dhe media.

Kalimtarë të rastit janë parë t’u ofrojnë ndihmën e shpejtë deri në mbërritjen e autoambulancave, ndërsa brenda shumë pak minutash nga raportimi i ngjarjes, një numër i madh forcash policore dhe zjarrfikësish u gjendën në vendngjarje.

FOTO GALERI
1/14

Top Channel