Paris, protesta në premierën e Roman Polanskit

31/10/2017 13:37

Protestuesit ndërprenë çeljen e një filmi retrospektivë të Roman Polanskit në Paris, pas akuzave të reja për përdhunim në adresë të producentit franko polak.

Rreth 80 protestues, jashtë kinematekës franceze, që po shfaq filmat e Polanskit, u ngjitën mbi dritare dhe mbanin postera me slogane si “Nëse përdhunimi është art jepini Polanskit të gjithë çmimet Cesars”.

Dy pjesëtare të grupit Femen madje ekspozuan shkurtimisht gjinjtë dhe thirrën, asnjë nderim për përdhunuesit, e gjithë kjo nën sytë e Polanskit, para se ekipet e sigurisë ti nxirrnin jashtë.

Polanski, që hyri në godinë përmes një dere të pasme, duhet të prezantonte filmin e tij të ri, bazuar në një ngjarje të vërtetë. Më herët këtë muaj, prokurorët zviceranë thanë se një ish aktore gjermane dhe modele, i kishte thënë autoriteteve se Polanski e kishte përdhunuar në shtëpinë e tij në mal, në 1972 kur ajo ishte vetëm 15 vjeç.

Ajo është një nga katër gratë që më herët e kanë akuzuar 84 vjecarin Polanski për agresione seksuale kur ato kanë qenë në moshë adoleshence. Akuzat janë shumë më të vjetra në kohë krahasuar me ato të manjatit të Hollivudit Harvey Ueinstein. Polanski, regjisor i filmave klasikë si “Pianisti” etj, është larguar nga SHBA pasi u dënua në 1978 për marrëdhënie të paligjshme seksuale me Samantha Geimer, asokohe vetëm 13-vjeçare, në një proces gjatë të cilit vetë ai pranoi fajin.

Top Channel