Shembet tuneli, 200 viktima dhe frikë për rrjedhje radioaktive në Korenë e Veriut

31/10/2017 12:51

Mediet britanike raportojnë shembjen e një tuneli të nëndheshëm bërthamor të Koresë së Veriut, ku pretendohet të kenë humbur jetën deri në 200 vetë e mund të ketë edhe rrjedhje radioaktive.

Ngjarja sipas “The Sun”, që citon nga ana e saj televizionin japonez “TV Asahi”, daton më 10 tetor.

Incidenti besohet të ketë ndodhur pranë centralit Punggye-ri, zona ku Peniani zhvilloi testet e muajit shtator. Mendohet se, në momentin e parë, aty mbetën të bllokuar 100 punëtorë, por pas një shembjeje të dytë kanë humbur jetën edhe 100 persona të tjerë, të cilët kishin nxituar të jepnin ndihmë.

Informacioni që po qarkullon vrullshëm edhe në shtypin koreano-jugor është vështirë të vërtetohet plotësisht, duke pasur parasysh sesa hermektik është shteti komunist, veçanërisht për të dhëna të tilla të ndjeshme.

Sipas Agjencisë Meteorologjike koreano-jugore, pamjet e satelitëve tregojnë se në zonën e incidentit është krijuar një krater 60 deri në 100 metra i gjerë, ndërsa përmendet frika se rrjedhja e substancave radioaktive mund të pasohej nga një fatkeqësi e natyrës së Chernobilit apo Fukushimës.

Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës në Seul ka hedhur hipotezën se, në zonë po kryhen gërmime për dy galeri të reja, që do të përdoren për testime të mëtejshme.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel