Masakra e vrasësit serial, gjenden 9 trupa të copëtuar viktimash

31/10/2017 14:31

Dy koka në frigorifer e pjesë trupash të 7 personave të tjerë në çanta frigoriferike. Policia japoneze ishte nisur drejt shtëpisë së 27-vjeçarit, Takahiro Shiraishi, për të hetuar zhdukjen e një vajze me të cilën i riu kishte komunikuar “online”, por ajo që zbuloi në banesë ishte tmerruese.

Episodi tronditës ndodhi në Zama, një qytet i vogël në afërsi të Tokios. Viktimat e të riut janë 8 gra dhe një burrë. 27-vjeçari, që mendohet se mund të jetë një vrasës serial, e pranoi se i ka vrarë ai të 9 personat dhe ka copëtuar trupat e tyre, me shpresën të fshihte gjurmët e gjestit të tij ekstrem.

Fqinji i tij u tha medieve vendase se, që prej zhvendosjes së Shiraishit atje në muajin gusht, nga apartamenti i tij vinte vazhdimisht një erë e çuditshme. Hetuesit mbërriten tek autori i krimeve, ndërsa gjurmonin zhdukjen e një 23-vjeçareje, nga e cila nuk dihej më asgjë që prej datës 21 tetor.

Ata arritën të zbulojnë se Shiraishi kishte qenë në kontakte me vajzën, e cila shkruante “online” se donte të vriste veten. Viktimat, i riu i kishte copëtuar me një sharrë të gjetur në njërën prej dhomave të tij.

Disa prej trupave ishin pjesërisht të dekompozuar. Njerëzit në zonë janë shprehur thellësisht të tronditur nga ngjarja, sepse lagjja në fjalë konsiderohet si mjaft e qetë, ndërsa pranë banesës së vrasësit gjendej edhe një çerdhe fëmijësh.

Top Channel