F1, si e humbën titullin Vettel dhe Ferrari

31/10/2017 17:27

Sebastian Vettel shpresoi deri në fundit se mund të fitonte titullin kampion për pilotë në Formulën 1, edhe pse në ndalesën e Meksikës shkoi me barrën e madhe të hendekut prej 66 pikësh.

Kur duheshin 3 gara nga fundi, gjermani vazhdoi të shpresonte, madje dhe pas problemeve në nisje, por vuajtjet për ndjenjën e fajtorit ndoshta kushtëzuan jo pak paraqitjet e tij të sezonit.

Në luftën e drejtpërdrejt, Hamilton ishte më i miri dhe Sebastian Vettel humbi shpesh kontrollin e nervave. Verstappen i vështirësoi llogaritë e gjermanit, pasi në jo pak raste, Maxi “i çmendur” detyroi Vettelin në një manovër mbrojtëse, apo në incidente si ai në Singapor me Ferrarin tjetër të Raikkonenit.

Problemet në Singapor, së bashku me dy gara të tjera aziatike në Malajzi dhe Japoni, mbeten momentet kyç të sezonit ferrarist. Në rastin e parë ishte një mundësi që Vettel nuk duhej ta humbiste, aq më tepër i nisur në “pole position”. Në dy rastet e tjera, “kokëkuqja” mund ta mbyllte në podium pa problemet teknike.

Ferrari ishte surprizues në testet e dimrit dhe diferenca e fitoreve dhe “pole position”-eve me Mercedesin nuk tregon realisht hendekun mes njëvendësheve të Formulës 1. Skuadra italiane mori 3 nga 6 garat e para, ndërsa më pas vuajti një “black out” në pistën azere të Bakusë. Përplasja me Hamilton, pas krahëve të makinës së sigurisë, ishte sinjali i parë i dobësisë së gjermanit, deri në rënien në pjesën e dytë të kampionatit.

Me titullin e vitit 2017 të arkivuar, mbeten pikëpyetje të mëdha nëse Sebastian Vettel është vërtet piloti me të cilin Ferrari synon të realizojë objektivin e të paktën një titulli deri në vitin 2020.

Top Channel