Indi, nacionalistët hindu kritikojnë monumentin “Taj Mahal”

30/10/2017 17:31

Sikur të mos mjaftonte ndotja e ajrit, që po i jep ngjyrë të verdhë mermerit, apo restaurimet që kanë mbuluar minaret e saj, “Taj Mahali” në Indi po përballet me kritika të shumta nga nacionalistët.

Padyshim është një prej momumenteve më të bukura në botë, por gjatë muajve të fundit, nacionalistët në vendin me shumicë hindu po përpiqen që të zhdukin ndërtesën kolosale nga historia indiane. Madje, ka edhe nga ata që e cilësojnë “Taj Mahalin” një njollë në historinë e vendit.

Monumenti 400-vjeçar u ndërtua si kujtim për gruan e tij të ndjerë nga perandori mugal Shan Jahan. Por, ky i fundit ishte mysliman dhe duket se nga këtu vijnë të gjitha kontradiktat.

Sipas nacionalistëve hindu, që janë shtuar shumë nën qeverinë e kryeministit Narendra Modi, “Taj Mahal” është vepër e tradhtarëve të vendit dhe si e tillë nuk ka pse nderohet.

Shumë hindu, përfshirë kryeministrin Modi, besojnë se qindra vitet që India sundohej nga mbretër myslimanë ishin një periudhë skllavërie, që nuk ndryshonte aspak nga sundimi britanik. Nacionalistët thonë se “Taj Mahal” nuk përfaqëson aspak kulturën indiane dhe në shumë broshura turistike zyrtare, ai nuk shfaqet më.

Ndërkohë, autoritetet lokale në shtetit Uttar Pradesh, e në veçanti ato në qytetin Agra, ku monumenti gjendet, thonë se këto sulme janë të gabuara. “Taj Mahal” është burimi më i madh i të ardhurave për këtë zonë, që vizitohëet nga miliona turistë në vit, e sipas drejtuesve të turizmit, banorët do të zgjedhin gjithnjë “Taj Mahal” para çdo qeverie.

Top Channel