Akuza për rebelim ndaj liderëve katalanas

30/10/2017 16:24

Prokurori i Përgjithshëm i Spanjës, José Manuel Maza, kërkoi që ndaj liderëve katalanas të ngrihen akuza për rebelim pas deklaratës së pavarësisë, e në aktpadi këmbëngul të vendoset edhe pretendimi për shpërdorim fondesh për mbajtjen e referendumit të konsideruar të paligjshëm.

Në bazë të sistemit ligjor spanjoll, kërkesa tani duhet të merret në shqyrtim nga një gjykatës, të cilit i takon dhe fjala e fundit në çështjen nevralgjike.

“Si kryeprokuror i këtij vendi ju informoj se zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, duke respektuar mandatin e saj kushtetutës lidhur me promovimin e veprimeve ligjore, të drejtën e qytetarëve dhe interesit publik, ka depozituar akuzat për rebelim, ndarje, keqpërdorim të fondeve publike dhe akuza të tjera ndaj anëtarëve të qeverisë katalanase që me vendimin e tyre, me veprimet e bëra përgjatë dy viteve të fundit, shkaktuan një krizë kushtetuese, e cila në shkelje të hapur me Kushtetutën përfundoi me shpalljen e njëanshme të pavarësisë”, tha José Manuel Maza, kryeprokuror i Spanjës.

Krimi i rebelimit ndëshkohet në Spanjë me maksimumi 30 vjet burg, ai i shkëputjes me 15 vjet dhe shpërdorimi i fondeve publike me 6 vjet heqje lirie. Për administratën e Katalonjës, e hëna ishte një ditë normale pune edhe pse Madridi zyrtar po përgatitet të vërë në jetë kontrollin e drejtpërdrejtë të rajonit dhe shkarkimin e presidentit Carles Puigdemont. Puigdemont, ashtu dhe zëvendësi i tij Oriol Junqueras e kanë bërë të qartë se nuk pranojnë urdhrat e ekzekutivit spanjoll dhe thonë se nga zyrat e tyre, do të mund t’i largojnë vetëm qytetarët e Katalonjës.

Madridi urdhëroi mbajtjen e zgjedhjeve të reja rajonale në 21 dhjetor, në të cilat Puigdemont mund të kandidojë, por vetëm nëse nuk ka përfunduar, ndërkohë prapa hekurave.

“The Independent”, ndërkohë pretendon se presidenti katalanas ka udhëtuar drejt Belgjikës për të kërkuar azil politik e për këtë pohim të saj, gazeta britanike citon zyrtarë të qeverisë spanjolle. Përpara ortekut të zhvillimeve që sollën aktivizimin e nenit 155 të kushtetutës për herë të parë në historinë e vendit, Katalonja kishte nivelin ndoshta më të lartë të vetë-qeverisjes në të gjithë Spanjën.

Top Channel