Ricciardo, në Meksikë me një kaskë “de Muertos”

27/10/2017 20:12

Formula 1 është zhvendosur në Meksikë, ku këtë fundjavë do të zhvillohen provat zyrtare dhe gara në Autodromin “Hermanos Rodríguez”. Por një pilot në veçanti, australiani i Red Bullit Daniel Ricciardo ka përgatitur një gjë speciale.

Në Meksikë është periudhë festash, që nisën më 23 tetor me “La Catrinën” e vijuan me “Dia de Muertos”. Pikërisht kësaj të fundit, australiani ka dedikuar një kaskë speciale, të cilën do ta mbajë mbi kokë gjatë provave të lira, atyre zyrtare për “pole position” dhe garës.

“Catrina” u krijua nga Jose Guadalupe Posada, karikaturisti i njohur vendas i fillimit të viteve 1900, puna e të cilit pati ndikim të madh mbi artistët e Amerikës Latine, për shkak të satirës therëse dhe angazhimit politik.

Shfaqja paraprinte “Ditën e të vdekurve”, një traditë prehispanike, me të cilën familjet kujtojnë ata që nuk janë më dhe kremtojnë vazhdimin e jetës. Meksikanët ofrojnë zakonisht në një kohë të tillë dhurata për të vdekurit, që përfshijnë fotografi, ushqime, qirinj, lule, sende personale, kafka të bëra me sheqer, skelete prej letre dhe ëmbëlsira.

“Dia de Muertos” gërsheton ndikimin spanjoll me adhurimin indigjen në Amerikën e Jugut, e kremtohet sidomos te popullatat me shumicë autoktone, si Meksika, Guatemala, Peruja, Bolivia dhe Ekuadori.

FOTO GALERI
4/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA