Media sociale po ndryshon rrënjësisht mënyrën sesi njerëzit komunikojnë me njëri-tjetrin, por edhe rrugën që zgjedhin qeveritë për një angazhim më të plotë me qytetarët e tyre.

Gjithmonë e më shumë, diplomacitë anembanë botës zgjedhin platformat sociale për të komunikuar me popullin, e duke mbajtur parasysh të mirat e përdorimit të internetit, qeveritë kanë edhe një mundësi të re t’i arrijnë objektivat e politikës së jashtme përmes promovimit të vendit të tyre.

Shtetet më të vogla gëzojnë të njëjtat mundësi për të përmirësuar imazhin dhe praninë e tyre nëpër botë. E ashtuquajtura “e-Diplomacy” apo edhe “Twiplomacy” shihet si një zgjatim i diplomacisë tradicionale, e jo si zëvendësues i kanaleve të hershme të komunikimit në nivelin e drejtimit të shtetit.

“Twitter”-i konsiderohet sot vegla më e përdorur e diplomacisë dixhitale, me 260 llogari personale të krerëve të shteteve dhe ekzekutivëve nga 125 shtete të globit, edhe pse udhëheqësit që e përdorin atë personalisht janë vetëm 30.

Përdorimi i medias sociale në këtë drejtim po rritet ndjeshëm edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku sidoqoftë ka ende probleme me hapjen dhe transparencën. Vëzhgimi i “Digital Diplomacy” për vitin 2016, që shqyrton 210 Ministri të Jashtme, e vendoste Shqipërinë të 43-tën sa i takon kësaj forme të diplomacisë, që do të thotë e para në rajon.

Pas saj vinte Kosova në vendin e 71-të, Serbia e 94-ta, Maqedonia e 118-a, Bosnje-Hercegovina radhitet në vendin 141-të dhe Mali i Zi në atë të 144-t.

“Është interesante – thuhet aty, – sesi Serbia nuk ka një llogari zyrtare të Ministrisë së saj të Jashtme, ndërsa shumë Ambasada të huaja atje kanë faqe në ‘Twitter’”. E njëjta situatë paraqitet edhe në Bosnje, ndërsa ndryshe nga këto dy vende, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, përveçse e kanë një llogari të tillë, e përdorin “Twitter”-in si mënyrë për t’i komunikuar publikut aktivitetet e tyre të përditshme.

Top Channel