Droni detar misterioz në Lefkada i mbushur me eksplozivë, autoritetet greke e ‘hedhin në erë’

09/05/2026 22:55

Me një shpërthim të kontrolluar autoritetet greke neutralizuan rreth 100 kilogramë lëndë eksplozive që u gjetën në dronin detar misterioz në Lefkadë.

Mjeti pa pilot ishte zbuluar nga dy peshkatarë në zonën detare të Vasilikisë, të cilët njoftuan menjëherë autoritetet portuale, raporton korrespondenti i Top Channel në Greqi, Aleksandër Marku.

Droni ishte fshehur në një shpellë dhe mbante eksplozivët të vendosur brenda një fuçie. Pas zbulimit, mjeti fillimisht u tërhoq në portin lokal dhe më pas u transportua në zonën e Astakos, ku u krye shpërthimi i kontrolluar dhe vazhdojnë analizat teknike nga specialistë të Marinës Ushtarake greke.

Sipas të dhënave të para, droni kishte karakteristika që ngjajnë me sisteme ushtarake ose paraushtarake. Në pjesën qendrore ndodhej një kamerë me rezolucion të lartë, ndërsa kishte edhe dy panele që besohet se lidhen me sistemin e navigimit.

Ekspertët vlerësojnë se mjeti kishte aftësi lundrimi autonom, me bateri të integruara dhe sistem GPS. Ishte me ngjyrë të zezë, me profil shumë të ulët mbi sipërfaqen e detit, gjë që e bënte të vështirë zbulimin sidomos gjatë natës.

Dy nga tre sensorët e përparmë ishin të thyer kur droni u gjet, çka përforcon skenarin se ai mund të jetë përplasur në shkëmbinj pasi humbi orientimin ose sinjalin GPS.

Hetimet tashmë fokusohen tek memoria dixhitale dhe sistemi elektronik i dronit, me qëllim përcaktimin e origjinës, itinerarit dhe objektivit të mundshëm të tij.

Autoritetet po analizojnë gjithashtu sistemet e komunikimit, sensorët, antenat, motorin shtytës dhe lëndën eksplozive, ndërsa të gjitha skenarët mbeten të hapur, përfshirë mundësinë që mjeti të ketë humbur kontaktin me qendrën e kontrollit dhe të ketë dalë jashtë kontrollit për shkak të kushteve atmosferike dhe rrymave detare. Ende nuk ka një njoftim zyrtar sa i përket përkatësisë dhe qëllimit që ka pasur ky mjet me skenarë të shumtë që japin e marrin në mediat greke.

Top Channel