Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu i kërkoi Greqisë të mos shndërrohej në një parajsë të sigurtë për komplotistët e grushtit të shtetit të vitit të kaluar, duke përmendur 995 personat që kanë aplikuar për azil atje, pas përpjekjes së dështuar.

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun grek, Nikos Kotzias, Cavusoglu tha se kërkesat për azil duhet të shqyrtohen duke vlerësuar me kujdes lidhjet me rrjetin e klerikut me bazë në SHBA, Fethullah Gulen, që Turqia e konsideron si arkitekt të komplotit.

“Ne nuk duam që Greqia fqinje, me të cilën po përmirësojmë lidhjet bazuar te besimi, të kthehet në një parajsë të sigurtë për gylenistët”, tha Mevlut Cavusoglu, ministër i Jashtëm turk.

Duke iu përgjigjur këtyre komenteve, Kotzias tha se vendimi mbi azilkërkuesit do të merret nga drejtësia greke dhe duhet të respektohet.

“Gjyqësori do të marrë vendimet mbi ata që kërkojnë azil në Greqi. Disa janë të kënaqur me këto vendime, disa jo. Unë jam në dijeni të qëndrimit tuaj, por ne duhet të respektojmë vendimet e gjyqësorit”, tha Nikos Kotzias, ministër i Jashtëm grek.

Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë u acaruan në maj, pasi një gjykatë greke vendosi të mos ekstradonte 8 ushtarë turq, që u arratisën në Greqi pas grushtit të dështuar të shtetit të vitit të kaluar.

Turqia pretendon se ata, që mbërritën në Greqi në bordin e helikopterëve ushtarakë, ishin të përfshirë në përpjekjet për të rrëzuar presidentin Recep Tayyip Erdogan, e ka kërkuar ekstradimin e tyre.

Gjykatat greke kanë bllokuar dy kërkesa për ekstradim të Ankarasë, duke zemëruar Turqinë dhe duke nxjerrë në pah marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve anëtare të NATO-s, që janë përballë njëri-tjetrit për çështje që variojnë që nga mosmarrëveshjet territoriale, e deri te Qiproja e ndarë në vija etnike.

Top Channel