Jeni në kërkim të një jete të lumtur? Paguani 1.5 mln USD…

24/10/2017 21:45

Këshillat në dy shënime të ndara, të shkruara nga Albert Einstein e që përshkruajnë teorinë e tij mbi jetesën e lumtur, janë shitur në një ankand të zhvilluar në Jeruzalem për shumën prej 1.56 milionë dollarësh.

Fizikanti i lindur në Gjermani dhe fitues i Çmimit Nobel ia kishte dhënë ato shënime një korrieri në Tokio në vitin 1922, në këmbim të një “bakshishi”. Në këtë shkëmbim, ai i kishte thënë korrierit se, nëse do të ishte me fat, në të ardhmen këto shënime do të bëheshin shumë të vlefshme.

Einstein ia kushtoi të gjithë jetën e tij shkencës, por sugjeron në këto shënime se, arritja e një qëllimi të ëndërruar prej kohësh, jo domosdoshmërisht të garanton lumturinë.

Kur korrieri kishte hyrë në dhomën e tij për të dorëzuar porosinë, fizikanti nuk kishte asnjë cent për ta shpërblyer. Ai kishte dëgjuar asokohe se, shkencëtari gjerman kishte fituar Çmimin Nobel në Fizikë dhe se ishte në Japoni për një tur leksionesh.

Në vend të shpërblimit, ai i kishte dhënë korrierit një shënim të firmosur të shkruar në gjermanisht: Një jetë e qetë dhe e përulur do të të sjellë më shumë lumturi, sesa ndjekja e suksesit dhe shqetësimi i vazhdueshëm që vjen me të”.

Shënimi i dytë i shkruar në të njëjtën kohë thoshte: Ku ka vullnet, ka gjithmonë një rrugëdalje!

Ky shënim është shitur për 240 mijë dollarë, thotë shtëpia e ankandeve mbi fituesin. Ofertat fituese për të dyja shënimet ishin shumë herë më të larta nga sa ishte përllogaritur përpara ankandit. Shtëpia e ankandit shtoi se blerësi i njërit prej shënimeve ishte europian, i cili donte të mbetej anonim. Ndërsa shitësi, sa për kuriozitet, raportohet të jetë nipi i korrierit që kishte marrë shënimet nga Einstein.

Top Channel