E para që iu drejtua kutive të votimit në Kosovë ishte kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e cila u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje.
Thirrjeve për të dalë në votime iu bashkuan dhe drejtuesit politikë.
“Ky është një fillim i mbarë i ditës së sotme. Shpresoj dhe besoj që i gjithë mekanizmi politik, shoqëria civile, media, KQZ-ja, vëzhguesit vendas dhe ndërkombëtarë, të jenë në krye të përgjegjësive të tyre, që edhe ky proces i rëndësishëm apo test i demokracisë për Kosovën të përmbyllet me sukses”, tha presidenti Hashim Thaçi.
“Ftoj të gjithë qytetarët e vendit të dalin e të votojnë. Kosovën e pret një punë e madhe përpara. Një pjesë e punëve të rëndësishme ndodhin nëpër komuna. Kryetarët e komunave janë me rëndësi, sikurse edhe asambletë komunale. Vetëm me punë mund të shkojmë drejt zhvillimit dhe rritjes së përgjithshme të vendit”, tha kryeministri Ramush Haradinaj.
“Kjo është një ditë vërtet shumë e bukur e në të njëjtën kohë duhet të jemi krenarë për vet vendin ku kemi arritur si demokraci, në mënyrë të qetë e të emancipuar. Do të fitojë ai që është më i miri”, tha kreu i PDK-së dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.
“E rëndësishme është që qytetarët e Republikës së Kosovës, secili me mundësitë e veta, ta shfrytëzojnë masivisht këtë të drejtë që kanë, në mënyrë që edhe vullneti i tyre dhe zëri i tyre të shndërrohet në mirëqeverisje për komunat ku jetojnë”, tha kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.
Top Channel