Ndotja shkakton 9 milionë vdekje në vit

20/10/2017 09:20

Ndotja lidhet me 9 milionë vdekje të regjistruara anembanë botës në vitin 2015. Një raport i revistës së njohur shkencore “The Lancet” tregon se, pothuajse të gjitha këto vdekje kanë ndodhur në vendet e varfra, apo ato me të ardhura mesatare, ku një e katërta e jetëve të humbura është pasojë e kushteve të ambientit.

Më të prekurat janë Bangladeshi e Somalia, ndërsa vendet ku kjo problematikë është më e vogël rezultojnë Brunei dhe Suedia. Nga të gjitha llojet e analizuara të ndotjes, ajo e ajrit ka impaktin më të madh e fajësohet për dy të tretat e vdekjeve.

“Ndotja është shumë më tepër sesa një sfidë mjedisore. Është një kërcënim i thellë e depërtues, që prek shumë aspekte të shëndetit dhe mirëqenies së njeriut”, tha profesor Philip Landrigan, autor i studimit.

Ndotja e ajrit ka kontribuar në 6.5 milionë vdekje të parakohshme, e këtu përfshihen burimet jashtë banesës, siç janë gazet, dhe ato në ambientet e brendshme, siç është djegia e drurëve dhe qymyrit.

Faktori i dytë më i madh i rrezikut, ndotja e ujit, fajësohet për 1.8 milionë vdekje, ndërsa ndotjes në vendin e punës i faturohen 800 mijë jetë të humbura në nivel global.

Në hartën interaktive, shoqëruese të raportit, ku mund të gjenden zonat më të ndotura të shumë shteteve, Shqipëria ka të shënuar Tiranën si qytet që vuan nga probleme kronike të ndotjes së ajrit, pasojë e ndotjes nga makinat dhe ndërtimet; Durrësi me nivele të larta kromi dhe pesticidesh në ujërat përreth Porto Romanos ; Elbasani si zona e kompleksit metalurgjik; apo Fieri, Laçi e Vlora, ku përmendet niveli i lartë i mërkurit me origjinë ish-fabrikën e braktisur të PVC-së.

Top Channel