Prania e Qeverisë në Vlorë nuk mund të linte jashtë vëmendjes sportin, ku në qytetin bregdetar prej kohësh po punohet për një nga projektet më të mëdha të quajtura “Vlora Sport”.
Vetë Kryeministri Rama ka vizituar së bashku me kryetarin e bashkisë së qytetit të Vlorës, Dritan Lelin dhe presidentin e Flamurtarit, Sinan Idrizin, kompleksin sportiv aktual në të cilin do të ndërhyhet, nga stadiumi, tek aneksi sportiv në krah të tij dhe pallati i sportit.
“Ka ardhur koha që Vlora të fillojë ndërtimin e stadiumit të ri, të një kompleksi unikal. Këtu ka një potencial të rëndësishëm nga pikëpamja hapësinore të ketë një kompleks, i cili të përfshijë jo vetëm stadiumin, por edhe pallatin e sportit, pasi të gjitha mjediset e tjera sportive dhe rekreative”, tha Kryeministri.
Rama tha se Vlora shumë shpejt do të ketë një stadium të ri pasi si qytet ka fatin që ka hapësirat e mjaftueshme për të bërë jo vetëm stadiumin, por një kompleks të ri sportiv që do të përfshijë edhe pallatin e sportit apo qendrën e rekreacionit.
“Në fund të këtij 4-vjeçari do të kemi fluturimin e parë në aeroportin e Vlorës dhe golin e parë të Flamurtarit në stadiumin e ri”, tha Rama.
Top Channel