Një tas porcelani 900-vjeçar i dinastisë Song bëhet qeramika kineze e shitur më shtrenjtë në një ankand. Ai u shit për plot 37.68 milionë dollarë, siç njoftoi shtëpia e ankandeve “Sotheby’s”.

Tasi i vogël, blu në të gjelbër, është krijuar nga prodhuesi më prestigjioz i poçerive për dinastinë Song nga shekulli i X në të XI-in, i njohur si Ru Guanyao.

Ai iu shit një blerësi anonim nga Hong Kongu, pas një lufte 20-minutëshe ofertash. Zv.drejtori i degës aziatike të shtëpisë së ankandeve, “Sotheby’s”, Nicolas Chow nuk e zbuloi kombësinë e blerësit, por tha se interesi i madh i Kinës kishte ndihmuar në rritjen e çmimit ditën e martë.

“Nuk e prisnim një çmim kaq të lartë, por e dinim se do të kishte një luftë. Çdo herë që del në shitje një punim i tillë qeramike nga Ru, do të ketë gjithmonë një betejë pasi bëhet fjalë për një prej prodhuesve më të njohur në historinë e qeramikës kineze”, tha Nicolas Chow, përfaqësues i “Sotheby’s”.

Rekordi paraprak mbahej nga një kupë 500-vjeçare perandorake, e cila u shit po në Hong Kong për 36.1 milionë dollarë në vitin 2014.

Top Channel