Kërkohet një “Robinson Crusoe”

28/09/2017 00:00

Nëse ke fantazuar ndonjëherë për të jetuar në një ishull të braktisur, si Robinson Crusoe, por jo në kushte të rrezikshme apo i mbërthyer nga vetmia, atëherë kjo është puna e ëndrrave për ty.

Qeveria franceze po kërkon një çift të ri për t’u kujdesur për ishullin Quéménès në Bretanjë. Banorët aktualë, që u përzgjodhën 10 vite më parë, kanë vendosur të largohen.

Edhe pse ishulli ka qenë i pushtuar për mijëra vite, pronarët e fundit e braktisën atë 25 vite më parë. Por ferma në ishull mbijetoi.

Në vitin 2007, David dhe Soizic Cuisnier morën detyrën e menaxhimit të saj. Tani çifti po largohet bashkë me dy fëmijët e tyre, për të jetuar më pranë shkollave, e dikush tjetër duhet të marrë përsipër atë që mund të konsiderohet edhe puna më romantike në botë.

Në të vërtetë do të jetë një jetë e thjeshtë. Ishulli është një milje i gjatë, me plazhet e mbuluara vende-vende nga rëra, e vende-vende nga gurët apo bari, e ndodhet në arkipelagun Molene, shumë pranë brigjeve të Bretanjës.

Energjia elektrike vjen nga një turbinë ere dhe panelet diellore, ndërsa tualetet janë primitive. E nëse mund të ndodhë të jesh mërzitur me partnerin, ka shumë kafshë që mund t’iu bëjnë shoqëri: lepuj, dele, zogj, foka etj..

Çifti Cuisnier ka vendosur madje edhe një lidhje interneti.

“Ardhja jonë këtu ishte një çmenduri, por u kthye në aventurën më të mrekullueshme. Ne e shndërruam fermën në një biznes të suksesshëm. Rritëm familjen dhe gjithçka ishte e paharrueshme”, thotë David.

Nëse e doni këtë punë duhet të nxitoni. Aktualisht janë 20 kandidatë seriozë në pritje për të zëvendësuar çiftin. Pasuesit fatlumë do të shpallen javët e ardhshme dhe duhet të mbërrijnë në ishull vitin e ardhshëm.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel