Nis “Oktoberfest”, festivali i birrës në Mynih

16/09/2017 00:00

Në Mynih është koha për të lënë pas krahëve problemet e për të shijuar birrën. Parakalimi i një karroce me kalë, karuzelët e  bandat muzikore i dhanë nismë edicionit të 184 të festivalit të famshëm “Oktoberfest”.

Kryebashkiaku i Mynihut, Dieter Reiter i vendosi rubinetin fuçisë së parë të birrës duke e shpallur zyrtarisht të hapur festivalin më të madh të birrës në botë.

Miliona vizitorë nga e gjithë bota pritet të vijnë në kryeqytetin Bavarez përgjatë 18 ditëve të ardhshme.

Organizatorët shpresojnë që aktiviteti të josh rreth 7 milionë njerëz, më shumë se sa vitin e kaluar kur pati 5.6 milionë vizitorë. Moti me shi nuk i pengoi pjesëmarrësit e parë të paduruar, me turma të mëdha njerëzish që mbërritën përpara ceremonisë hapëse në 12 të drekës.

Për të dytin vit radhazi festivali do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, ku do të përfshihen kontrolle në hyrje, vendosja e një gardhi rreth zonës ku do të zhvillohet aktiviteti dhe ndalimi i çantave të mëdha.  Masa të tilla u aplikuan për herë të parë në historinë e festivalit vitin e kaluar pas serisë së sulmeve të dhunshme që goditën Gjermaninë jugore. Megjithë masat e shtuara të sigurisë, pjesëmarrësit në “Oktoberfest”, nga bavarezët autoktonë tek turistet po festojnë si zakonisht.

“Ne nuk shqetësohemi për këtë. Nëse ndodh, ndodh. Por këtu ka mjaftueshëm policë dhe besoj gjithçka do të shkojë mirë”, shprehet një vizitor.

Edicioni i 184 i “Oktoberfest” do të përfundojë në 3 tetor.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel