SHBA, deklaratë kundër referendumit të kurdëve

15/09/2017 00:00

Një tjetër referendum pavarësie, kontrovers edhe ky, pritet të mbahet brenda këtij muaji. Parlamenti i kurdëve irakianë ka votuar në mbështetje të referendumit të planifikuar, pavarësisht kundërshtive nga mbarë bota.

Qeveria rajonale e Kurdistanit, e mbledhur për herë të parë në dy vitet e fundit, ka aprovuar votimin e 25 shtatorit gjatë kësaj të premteje. Qeveria qendrore e Irakut e refuzon këtë referendum, duke e cilësuar atë që prej së martës si antikushtetues. Kundër referendumit janë edhe Irani, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara.

Qeveria e Irakut ka autorizuar kryeministrin “të marrë të gjitha masat” për të ruajtur unitetin kombëtar. Megjithatë, disa zëra kundër janë regjistruar edhe mes deputeteve opozitarë të parlamentit rajonal, të cilët kanë thënë se do të abstenonin.

Fqinjët më të afërt, Irani dhe Turqia, të cilat që të dyja kanë popullsi kurde në përbërje, kanë shprehur kundërshtitë mes frikës se një votë “pro” do të forcojë lëvizjet separatiste në vendet e tyre.

Shtetet e Bashkuara, të cilat i frikësohen votës pro se mund të dëmtojë marrëdhëniet kurdo-irakiane dhe të dëmtojë luftën kundër Shtetit Islamik, sugjeruan “alternativa”, gjithsesi të paspecifikuara, ndaj referendumit.

Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë disa orë pas votimit, duke kërkuar nga qeveria rajonale e Kurdistanit të heqë referendumin dhe të hyjë në dialog serioz dhe të qëndrueshëm me Bagdadin.

Kreu i kurdëve, Massud Barzani tha se do të jepte një përgjigje të shpejtë ndaj çdo ideje, por duket se i ka refuzuar këto të fundit kur u pyet këtë të premte.

“Ne ende nuk kemi dëgjuar ndonjë propozim, që do të shërbente si alternativë ndaj referendumit të Kurdistanit”, tha ai. “Ndaj votimi nuk do të shtyhet”, shtoi më tej.

Deklarata e Barzanit është kritikuar ashpër nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, si “tepër e gabuar”, siç raporton agjencia e lajmeve “Reuters”. Fjalët e tij, megjithatë, nuk i ndalën ligjvënësit rajonalë, të cilët votuan me 65 vota pro në mbështetje të referendumit. Ata janë shumicë në Parlamentin prej 111 deputetësh, por më shumë se 40 të tillë nuk morën pjesë në këtë seancë.

Kurdët janë grupi i katërt më i madh etnik në Lindjen e Mesme, megjithatë ata kurrë nuk kanë pasur një shtet më vete si komb. Në Irak, ku kurdët përbëjnë rreth 15-20% të popullsisë prej 37 milionë banorësh, kurdët janë përballur me dekada të tëra represioni, përpara se të siguronin autonomi pas Luftës së Gjirit të vitit 1991.

Gjatë 3 viteve të fundit, kurdët anembanë rajonit janë përfshirë në betejën kundër ISIS dhe kanë rezultuar aleatët më të mirë për SHBA-të.

Votimi për këtë referendum pritet të zhvillohet në 3 provinca që përbëjnë këtë rajon: Dahuk, Irbil dhe Sulaimaniya, si dhe në “zonat e Kurdistanit jashtë administratës rajonale”, përfshi këtu Kirkuk, Makhmour, Khanaqin dhe Sinjar.

Zyrtarët kurdë kanë thënë gjithashtu se, një votë e pritshme “pro” nuk do të rezultonte në deklaratën automatike të pavarësisë, por do të forconte pozitat e tyre në negociatat e tejzgjatura për ndarje nga qeveria qendrore irakiane.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel