Demostruesit pengojnë fjalimin e Merkel

26/08/2017 00:00

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u përball me disa protestues të egër, që u përpoqën të pengonin fjalimin e saj me thirrje e fishkëllima, në qytetin lindor të Kuendlinburgut, duke u thënë se bërtitjet e tyre nuk mund të zgjidhin problemet e Gjermanisë.

Në mesin e thirrjeve, “Merkel largohu” dhe “Gënjeshtare” demonstruesit kundërshtuan fuqimisht politikat e saj për refugjatët dhe Merkel u detyrua të ndërpriste fjalën e saj për të paktën tre herë.

“Zonja dhe zotërinj, shpresoj të keni qenë në gjendje të kuptoni ndonjë gjë edhe pse shumë prej jush vazhdonin të bërtisnin. Tani unë ju pyes ju, të gjithë ju keni zë. Edhe ata që bërtasin gjatë gjithë kohës mund të tregojnë se si besojnë që problemet mund të zgjidhen”, tha Merkel.

Kancelarja po kërkon një mandat të katërt në detyrë dhe është qartazi favorite për të fituar në zgjedhjet e 24 shtatorit. Edhe pse Kristian-Demokratët konservatorë të Merkelit kryesojnë në sondazhe, disa zgjedhës konservatorë janë të zemëruar për faktin se ajo hapi kufijtë e Gjermanisë për më shumë se një milion refugjatë, që nga fundi i vitit 2015.

Ndjenja anti-Merkel dhe rritja e numrit të refugjatëve nga Siria, Iraku dhe rajone të tjera të trazuara, kanë bërë që të shënohet një rritje e alternativës për Gjermaninë, parti kjo e ekstremit të djathtë, që sipas sondazheve mund të fitojë 10 për qind të votave në shtator.

Top Channel