Macron, tur në lindje për rregulloret mbi punëtorët e huaj

25/08/2017 00:00

Emmanuel Macron është duke i përdorur ditët e fundit të verës për një tur vizitash në Europën Lindore. Të mërkurën, Macron foli në Salzburg të Austrisë me kryeministrat e Çekisë dhe Sllovakisë, e më pas e vazhdoi udhëtimin të enjten në Bullgari dhe Rumani.

Në itinerarin e udhëtimit të presidentit francez nuk bëjnë pjesë Varshava dhe Budapesti. Boshtin e vizitave e përbëjnë kërkesat e tij për rregullore më të rrepta mbi punëtorët e huaj, të cilat nuk i entuziazmojnë shumë europiano-lindorët.

Por shefi i “Elizesë” duket i vendosur ta çojë deri në fund nismën e vet.

“Jam i kënaqur me dëshirën e përbashkët për të punuar së bashku dhe jam i bindur, ashtu siç edhe e kam shprehur më parë, se do të mund të arrijmë një marrëveshje deri në fund të vitit”, tha Macron.

Macron kërkon aleatë për reformimin e direktivave europiane mbi lëvizjen e punonjësve brenda vendeve të BE-së. Përpjekjet e tij për rregulla më të forta i mbështet edhe kancelari austriak, Christian Kern.

Rumania kërkon gjithashtu ujdi lidhur me mënjanimin e atij që njihet si “dumping”-u i rrogave. Macron lufton që të mos ketë diferencim të pagesës për punëtorët e huaj, që nga sa thotë duhet të merren në punë me të njëjtat kushte si francezët.

Me ndërhyrjen e tij, deri në tetor do të duhet të përpunohet një rregullore e re, e cila do të kërkojë që për të njëjtën punë, brenda të njëjtit vend, për të gjithë punonjësit të paguhet e njëjta pagë.

Top Channel