Macron, 26 mijë euro “make up”. Stafi: Shpenzimet do të reduktohen

25/08/2017 00:00

Gjatë 3 muajve të tij në pallatin “Elize”, Emmanuel Macron ka shpenzuar 26 mijë euro vetëm për “make up”.

Raportimi i “Le Point” nuk e ndihmon aspak imazhin e udhëheqësit 39-vjeçar të qendrës, popullariteti i të cilit ka ardhur në zbehje që prej triumfit në presidencialet e muajit prill.

Personi i angazhuar me makiazhin e tij, i përmendur nga e përjavshmja politike franceze vetëm si Natacha M., ka paraqitur dy fatura, njëra prej 10 mijë eurosh, tjetra 16 mijë euro.

Zyra e presidentit e mbrojti honorarin marramendës me justifikimin se, nevoja e një kontraktuesi ishte paraqitur në një moment urgjence.

E njëjta artiste “make up”-i ka qenë përgjegjëse për “make up”-in e Macron gjatë fushatës presidenciale. Bashkëpunëtorët e kreut të shtetit nxituan të sqarojnë se shpenzime të tilla do të reduktohen ndjeshëm në të ardhmen.

Paraardhësi i Macron, Francois Hollande i paguante 6.000 euro personave që merreshin me makiazhin e tij, ndërsa Nicolas Sarkozy, sipas “Vanity Fair” i jepte stafit të tij 8.000 euro për këtë qëllim.

Hollande, megjithatë, e pati shkundur dhe ai opinionin publik, me shumën e pabesueshme të parave që i paguante berberit të vet personal, plot 10 mijë euro në muaj.

Top Channel