“San Siro”, masa mbrojtëse kundër terrorizmit

24/08/2017 00:00

Pas sulmeve terroriste të Barcelonës, që tronditën zemrën e Europës, masat antiterrorizëm do të aplikohen më gjerësisht edhe në futboll.

Në Itali, drejtuesit e stadiumit “San Siro” të Milanos kanë vendosur të luajnë në mbrojtje, për të evituar rrezikun në grumbullime të mëdha për sfidat e futbollit çdo javë.

Prefektura dhe Bashkia e Milanos kërkuan dhe aplikuan një plan të ri antiterror, pasi turma e madhe që shpeshherë arrin 80 mijë njerëz mes tifozëve dhe infrastrukturës rrethuese mund të bëhet objekt sulmesh.

Rezultati fillestar i mbrojtjes është një unazë betoni që do të jetë përqark stadiumit mitik të Serie A. Blloqe të tëra do të rrethojnë impiantin milanez dhe do t’u shtohen hyrjeve automatike elektronike, filtrit të agjentëve të policisë dhe zonës së dyfishtë antitrafik.

Blloqet antikamion janë eksperimentuar në koncerte të mëdha dhe kanë pasur sukses. Kështu do të mund të evitohen sulme terroriste me kamion si në Nicë apo Barcelonë.

Top Channel