Rrëshqitje dheu në Zvicër, 14 persona rezultojnë të zhdukur

24/08/2017 00:00

Rreth 14 persona rezultojnë të zhdukur pas rrëshqitjes së dheut që preku një luginë të thellë malore në Zvicër, pranë kufirit me Italinë. Policia njoftoi të enjten se grupet e shpëtimit po zhvillojnë kërkime prej orësh për gjetjen e tyre.

Mes personave të humbur janë gjermanë, austriakë e zviceranë. Rrëshqitja, ekuivalente me një tërmet me magnitudë të vogël, u regjistrua në video nga një banore në fshatin Soglio.

Autoritetet evakuuan rreth 100 persona nga fshati i afërt Bondo, e gjithashtu alpinistët që gjendeshin në kantonin lindor Grisons, pasi shkëmbinjtë dhe balta goditën zonën të mërkurën. Por policia nuk mundi të arrijë 8 vetë, 6 prej të cilëve janë shpallur të humbur nga familjarët, pavarësisht kërkimeve intensive, ku është përfshirë edhe një helikopter ushtarak me “sensorë” termalë, kamera me rreze infra të kuqe e qen nuhatës.

Gjatë një konference për shtyp të enjten, policia tha se një tjetër grup prej 6 personash rezultonte gjithashtu i humbur, edhe pse nuk është e qartë nëse këta individë gjendeshin në zonë kur ndodhi rrëshqitja e dheut. Personat e zhdukur mendohet të jenë alpinistë. Tragjedia ndodhi të mërkurën kur 4 milionë metër kub balte dhe gurësh ranë nga mali “Piz Cengalo”.

Top Channel