Myslimanët në Gjermani, të integruar por të papranuar?

24/08/2017 00:00

Pothuajse të gjithë 4.7 milionë myslimanët e Gjermanisë ndihen të lidhur me shoqërinë në të cilën jetojnë, sipas një studimi të realizuar së fundi.

Integrimi, megjithatë, nuk është i plotë edhe anasjelltas: një në 5 gjermanë nuk i do myslimanët për fqinjë.

Studimi i kryer mbi disa shtete europiane zbuloi se 60% e myslimanëve të Gjermanisë janë pjesë e tregut të punës falë vendeve të siguruara atje, të konsideruara thuajse identike me ato të gjermanëve. Edhe niveli i papunësisë në mesin e tyre rezulton me përmirësim në rang kombëtar.

Hartuesi i raportit, Fondacioni gjerman “Bertelsmann” ka marrë në shqyrtim aftësitë gjuhësore të të vetëdeklaruarve si myslimanë, arsimin, vendin e punës dhe kontaktet e tyre shoqërore në Gjermani, Zvicër, Austri, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, pa llogaritur këtu të ardhurit pas vitit 2010.

Studimi, sipas zëdhënëses së organizatës së komunitetit gjermano-turk “TBB”, është dëshmi e faktit që shumë myslimanë ndihen të integruar, por ndeshen me një mungesë pranimi, e cila ua vështirëson afrimin në shoqëri.

Plot 73% e fëmijëve të lindur nga prindër myslimanë në Republikën Federale u rritën me gjermanishten si gjuhën e nënës. Por sërish raporti me titull “Myslimanët në Europë: Të integruar, por të papranuar?”, ka arritur të evidentojë shenja islamofobie në të gjitha vendet e përfunduara në lupën e tij.

Top Channel