Mattis akuzon Rusinë: Kërkon të ripërcaktojë me forcë kufinjtë

24/08/2017 00:00

Gjatë vizitës së tij në Kiev, Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis akuzoi Rusinë se po kërkon të rishkruajë me forcë kufinjtë ndërkombëtarë.

Në ditën e Pavarësisë së Ukrainës, shefi i Pentagonit u zotua se do të vazhdojë t’i bëjë presion Moskës, për ato që i quajti sjellje agresive të Kremlinit dhe përsëriti angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në rritjen e kapacitetit mbrojtës të Ukrainës.

“Përsa i përket furnizimit të Ukrainës me armë vdekjeprurëse, ne po e shqyrtojmë këtë çështje në mënyrë aktive. Armët mbrojtëse nuk janë provokuese, nëse nuk je agresor, dhe sigurisht Ukraina nuk është agresore”, tha James Mattis, Sekretar i Mbrojtjes.

Mattis kujtoi se Moska nuk i ishte përmbajtur marrëveshjes së armëpushushimit të arritur në Minsk, e cila synonte t’i jepte fund dhunës seperatiste në lindje të Ukrainës.

“Ne nuk e pranojmë dhe nuk do ta pranojmë aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe, me gjithë mohimet e Rusisë, ne e dimë se ata po përpiqen të rishkruajnë kufinjtë ndërkombëtarë me forcë”, tha Mattis.

Ukraina ka pasur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në konfliktin me Rusinë që prej ardhjes në pushtet të një qeverie properëndimore, pas protestave të mëdha të vitit 2014.

Por disa prej komenteve të Donald Trumpit gjatë fushtatës zgjedhore, vitin e kaluar, si sugjerimi se do të njihte Krimenë si pjesë e Rusisë, nxiti frikën e Kievit se presidenti i ri po kërkonte të përmirësonte marrëdhëniet me Moskën në kurriz të Ukrainës.

Top Channel