Holandë, “sulmi terrorist” rezulton fluskë sapuni

24/08/2017 00:00

Ajo u përshkrua si përpjekje e dështuar e terroristëve për një “Bataclan” të dytë, por elementi më i mediatizuar i saj, gjetja e një furgoni të mbushur me bombola gazi që vuri në alarm autoritetet e qytetit holandez të Rotterdamit, rezultoi një fluskë sapuni.

Pas verifikimeve të imtësishme u arrit në përfundimin se shoferi i mikrobusit me targa spanjolle është një mekanik, që bombolat i mban me vete si pjesë të punës së tij. Burri ishte i dehur kur u ndalua nga policia.

“Ky është rasti ideal për të thënë person i gabuar, në vendin e gabuar, si dhe efektivë policie që bënë me zotësi punën e tyre”, ishte komenti i shefit të Policisë së Rotterdamit, Frank Paauë.

Kontrollet vazhduan, e për rrjedhojë një 22-vjeçar holandez, rezident në Zevenbergen, ka përfunduar në pranga.

Zyrtarët holandezë të sigurisë u vunë në alarm pas sinjalizimit të kolegëve të tyre, gjë që solli anulimin e një koncerti “Rock” të grupit amerikan “Allah-Las”, të kërcënuar jo pak herë për shkak të emrit të tij.

Grupi duhej të performonte në “The Maassilo”, por në momentin e fundit u vendos që shfaqja të mos mbahej. Episodi vjen në mesin e një ndjesie të mprehtë alarmi, që kanë ngjallur në Europë sulmet e javës së kaluar në Katalunjë.

Burime pranë hetimit, megjithatë, i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” se nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë mes ngjarjeve në Barcelonë e Cambrils dhe informacionit të autoriteteve spanjolle, që thuhet të jetë rezultat i disa verifikimeve të zgjatura në kohë.

Ekspertët mendojnë se sulmet e militantëve të ISIS-it në kontinentin e vjetër janë më të çorientuara dhe se grupi ekstremist po mbështetet tani mbi celula amatorësh.

Top Channel