Tërmeti në Ischia, turistët rikthehen në plazhe

23/08/2017 00:00

Turistët janë rikthyer në plazhet e Ischias të mërkurën, pas tronditjes që shkaktoi tërmeti me magnitudë 4.3, që i mori jetën dy personave.

Rreth 10 për qind e pushuesve llogaritet se janë larguar nga ishulli, natën e parë të tërmetit. Pjesa më e madhe vendosën të qëndronin dhe dëshira e tyre për të vazhduar pushimet e ka kapërcyer frikën nga lëkundjet e tokës.

“Unë nuk u largova nga ishulli. Sigurisht ndodhi ky episod, por ne e kapërcyem frikën tonë. Dëshira për të vizituar ishullin ishte më e madhe sesa frika nga tërmetet”, tha Claudia Masi, turiste.

Ndërkohë ka pasur shumë diskutime në lidhje me numrin e ndërtesave të shembura, pavarësisht fuqisë modeste të tërmetit. Shumë banorë lokalë janë të bindur se ndërtesat e shembura ishin 100-vjeçare.

Ishulli i Ischias, pranë qytetit jugor të Napolit, është prekur disa herë nga tërmetet. Një dridhje e madhe toke në vitin 1883 i mori jetën më shumë se 2.000 personave. Sidoqoftë, me kalimin e viteve nuk është bërë thuajse asgjë, për t’i bërë shtëpitë e tij më të sigurta.

Top Channel